Një person i dyshuar për kanosjen e Kryesuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, është arrestuar nga Policia e Kosovës, pas më shumë se një viti e gjysmë nga raportimi i rastit.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Haziz Bytyqin, rreth 31-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, ai është arrestuar mbrëmjen e 4 gushtit, rreth orës 21:55, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Dyshimet lidhen me një rast të ndodhur më 9 shkurt 2025, kur Haziz Bytyqi dyshohet se, përmes rrjetit social Facebook, kishte kanosur Kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në procedurë policore, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndaj tij po zhvillohen procedurat për veprën penale “Kanosje”, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.