Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë, i dyshuar për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti është zbuluar më 8 shtator 2023, gjatë realizimit të planit taktik “Transporti” nga njësitë policore të SPK-së në Vërmicë, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë.

Gjatë kontrollit të një autobusi që po kalonte kufirin nga Shqipëria drejt Kosovës, policia ka ndaluar një shtetas shqiptar. Në çantën e tij të krahut është gjetur një qese me rreth 2.162 kilogramë marihuanë.

Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë administruar edhe provat materiale lidhur me rastin.

Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka iniciuar rast për veprën penale të dyshuar dhe ndaj të arrestuarit ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe në vënien e kryesve të veprave penale para përgjegjësisë ligjore.