Një kontroll rutinë i Policisë në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë ka përfunduar me arrestimin e një 21-vjeçari, pasi tek ai është gjetur një sasi e dyshuar e substancës narkotike të llojit marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Arlind Rushitin, rreth 21-vjeçar, tek i cili zyrtarët policorë kanë gjetur 19.6 gramë substancë të dyshuar narkotike.

Rasti ka ndodhur të premten, më 23 tetor 2026, rreth orës 19:00, ndërsa njësia policore ka raportuar për rastin rreth orës 19:30.

Pas gjetjes së substancës së dyshuar, në vendin e ngjarjes janë angazhuar hetuesit kujdestarë dhe njësia e forenzikës, ndërsa është njoftuar edhe njësia rajonale për hetimin e narkotikëve.

21-vjeçari është arrestuar dhe më pas është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.

Hetimet nuk janë ndalur vetëm te kontrolli në rrugë. Me autorizim të Prokurorisë, Policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Pas përfundimit të veprimeve policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Rushiti është liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.