Aksioni i Policisë së Kosovës kundër një rrjeti të dyshuar mashtrimi përmes Call Center-ave në Prishtinë nuk ka kaluar pa incidente. Dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore pasi dyshohet se janë sulmuar gjatë ekzekutimit të një urdhërese gjyqësore, në kuadër të operacionit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Gazeta Sinjali mëson se të dyshuar për sulmin janë Rea Hashani, rreth 23-vjeçare dhe Durim Morina, rreth 36-vjeçar, emra këta që figurojnë edhe në mesin e nëntë personave të arrestuar në operacionin kundër mashtrimeve përmes Call Center-ave në Prishtinë dhe Obiliq.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 23 tetor 2026, rreth orës 10:00, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë, ku zyrtarët policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike po realizonin një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, dy policët janë sulmuar dhe si pasojë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Pas incidentit, hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë nisur veprimet hetimore, duke intervistuar dy zyrtarët e dëmtuar dhe personat e dyshuar për sulmin.
Në këtë rast ka një zhvillim të rëndësishëm procedural Hashani dhe Morina janë liruar në procedurë të rregullt lidhur me dyshimet për sulm ndaj personave zyrtarë, por kanë mbetur të ndaluar për 48 orë në kuadër të rastit tjetër penal.
Ndalimi i tyre lidhet me urdhëresën në kuadër të hetimeve për aktivitetin e dyshuar të mashtrimit përmes qendrave të thirrjeve.
Kujtojmë se gjatë operacionit të zhvilluar në katër lokacione në rajonin e Prishtinës, Policia kishte arrestuar nëntë persona dhe kishte sekuestruar 39 kompjuterë, pajisje për ruajtjen e të dhënave, një armë, municion dhe sende të tjera.
Rasti i sulmit ndaj dy policëve është iniciuar veçmas për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 402 i Kodit Penal të Kosovës.
Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.