Një kontroll rutinë i policisë në Podujevë ka çuar në zbulimin e një sasie të substancës së dyshuar narkotike te dy të rinj që po udhëtonin me një veturë Audi.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 23:30, në rrugën “Zahir Pajaziti”, njësia reaguese ka ndaluar për kontroll një Audi të zi.
Gjatë kontrollit, te Besar Fejzullahu, 21-vjeçar, në xhepin e xhaketës janë gjetur 7.45 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Ndërsa te Muhamet Bunjaku, 24-vjeçar, janë gjetur edhe 1.30 gramë marihuanë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të dy janë intervistuar lidhur me rastin dhe kanë deklaruar se substancën e kishin blerë për konsum personal.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.