Nëntë personat e arrestuar sot në veri të Kosovës, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, janë ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kjo është konfirmuar përmes komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës për operacionin e koduar “Dosja 23”.

Të arrestuarit, të identifikuar me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D., dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Operacioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të Policisë së Kosovës, ndërsa urdhërkontrollet janë realizuar në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, fishekë të kalibrit 7.65 mm, fishekë të pushkës së gjuetisë dhe katër predha.

Hetuesit kanë sekuestruar gjithashtu rreth 23 mijë euro para të gatshme dhe rreth 60 mijë dinarë serbë, si dhe materiale të tjera që konsiderohen relevante për hetimin.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë, duke riafirmuar angazhimin për ndjekjen penale të personave të dyshuar për krime lufte.

Sipas informacioneve të Sinjalit, pas ndalimit 48-orësh pritet që ndaj të dyshuarve të ndërmerren edhe veprimet e mëtejshme procedurale, përfshirë shqyrtimin e masave për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë.