Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të një personi të dyshuar në Gjakovë, ku janë gjetur dhe konfiskuar mbi një kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, marihuanë, armë automatike, municion dhe para të gatshme.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bastisja është realizuar më 27 tetor 2026 nga hetuesit policorë të Sektorit Rajonal për Trafikim me Narkotikë, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Prona i përket një të dyshuari, mashkull kosovar, i lindur në vitin 2004.
Gjatë bastisjes, në cilësi të provave janë gjetur dhe konfiskuar rreth 1009.35 gramë kokainë e dyshuar, 4.14 gramë marihuanë, një armë automatike, një karikator me 24 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy karikatorë me 20 fishekë të kalibrit PPU 32.
Policia ka konfiskuar edhe 1 mijë e 175 euro, 200 franga zvicerane, një dollar amerikan, 200 lekë dhe 100 rubla ruse.
Në mesin e provave të sekuestruara janë edhe dy telefona të markës iPhone, njëri prej të cilëve i dëmtuar, një peshore elektrike dhe një fletore me shënime të ndryshme.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh ndaj të dyshuarit.
Sipas Policisë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare.