Një bastisje e zhvilluar më 1 tetor në fshatin Kabash të Vitisë ka çuar në sekuestrimin e një arme automatike, municionit dhe disa pajisjeve të tjera, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se kontrolli është realizuar mbi bazën e një urdhërese të Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, në shtëpinë e Burim Haxhiut, 44-vjeçar.

Gjatë bastisjes është gjetur një AK-47, së bashku me dy karikatorë që përmbanin 47 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, si dhe një optikë për pushkë.

Po ashtu, janë sekuestruar 40 fishekë të kalibrit 9×19 mm, 24 fishekë të tjerë të kalibrit 7.62×39 mm, tre fishekë të kalibrit 7.65×17 mm dhe një fishek shtesë 9×19 mm.

Në mesin e sendeve të gjetura janë edhe tre boksa metali, një palë pranga me çelës dhe një brisk.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bastisja dhe intervistimi i të dyshuarit janë zhvilluar në prani të avokatit mbrojtës.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ndaj Haxhiut është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Hetimet lidhur me origjinën dhe posedimin e armës, municionit dhe sendeve të sekuestruara po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.