Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor – Prizren (NJTRR-Prizren) ka filluar zbatimin e kontrolleve të qarkullimit të automjeteve edhe me dronë policorë, me qëllim të identifikimit dhe ndëshkimit të kundërvajtësve që rrezikojnë sigurinë në komunikacion.

Ky veprim është pjesë e planit operativ “Tejkalimet e palejuara, shpejtësia dhe telefoni”, i cili ka për qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve me lëndime të rënda, e veçanërisht atyre me vdekje.

Në kuadër të planit operativ, janë vendosur pika kontrolli shtesë dhe kohë pas kohe, në zonat me rrezikshmëri më të lartë, po përdoren dronë për të monitoruar tejkalimet në vijë të plotë dhe kolonat e automjeteve.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin sjelljet e rrezikshme dhe të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në rrugë.