Një pronë e blerë pa “konsultim” dyshohet se është bërë shkak i një konflikti serioz mes dy personave në Harilaq të Fushë Kosovës, i cili ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e njërit prej tyre.
Sinjali mëson se në pranga ka përfunduar Imer Qiriqi, 54 vjeçar, nën dyshimin se ka kanosur me jetë Halil Shalën, 63 vjeçarin.
Ngjarja ka ndodhur më 22 gusht, rreth orës 14:15, në rrugën “Gurët e Gjata” në Harilaq.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, mes dy burrave ka shpërthyer një mosmarrëveshje që lidhej me blerjen e një prone.
Shkak i konfliktit dyshohet se ishte fakti që Shala e kishte blerë pronën pa e pyetur paraprakisht Qiriqin, çka dyshohet se ka nxitur reagimin e këtij të fundit.
Situata më pas ka eskaluar deri në kanosje me jetë, sipas të dhënave fillestare të rastit.
Policia është vënë në dijeni për incidentin dhe për rastin është konsultuar Prokurori kujdestar.
Me vendim të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa Imer Qiriqi është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të konfliktit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.