Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka reaguar pas votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ky ishte një moment krenarie, por që sipas tij mbetet i paplotë përderisa dy nga protestuesit e ndaluar gjatë protestave vazhdojnë të qëndrojnë larg familjeve të tyre.
Haziri ka deklaruar se gjatë ditëve të protestës janë ndaluar dy qytetarë, të cilët janë edhe veteranë të UÇK-së.
“Dalja e tyre në shesh nuk ishte asgjë më shumë se një shprehje e natyrshme për të mbrojtur historinë dhe vlerat për të cilat dikur ishin të gatshëm të jepnin jetën. Nuk është as e drejtë dhe as njerëzore që ata të trajtohen me masa kaq të ashpra nga shteti i tyre, vetëm pse ngritën zërin për dinjitetin e kombit”.
Siç ka raportuar Sinjali, bëhet fjalë për Fadil Zogajn dhe Ekrem Selimin.
Zogaj dyshohet për përfshirje në sulmin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fahrush Rexhepi, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë, rast për të cilin ishte ndaluar fillimisht për 48 orë. Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi atij masën e paraburgimit prej një muaji.
Ndërkaq, edhe Ekrem Selimit, anëtarit të Kryesisë së OVL-UÇK-së, Gjykata i caktoi një muaj paraburgim pas zhvillimeve të 5 tetorit në kryeqytet.
Haziri ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të reflektojnë dhe t’i lirojnë dy protestuesit, duke thënë se ata duhet të kthehen pranë familjeve të tyre.
“I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe t’i lirojnë sa më parë. Këta burra e kanë vendin në shtëpitë e tyre, si qytetarë të lirë të Republikës që ndihmuan ta ndërtojnë vetë”, ka shkruar Haziri.
Ekskluzive | Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim Ekrem Selimit dhe Fatlum Zogajt -Sinjali
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.