Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin fizik ndaj ekipit të emisionit “Kiks Kosova”, i cili ndodhi sot në fshatin Doganaj të Ferizajt, derisa ekipi po kryente punën profesionale.

Të lënduar nga sulmi kanë mbetur kameramanët Erand Hyseni dhe Gramos Shala, gazetarja Arbenita Ilazi dhe shoferi Sefer Xhema, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 11:40 në Doganaj, ku katër anëtarë të një televizioni vendor dyshohet se janë sulmuar fizikisht.

I dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor në Ferizaj, ku ka dorëzuar edhe një kamerë të dëmtuar. Hetimet rajonale, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

AGK ka bërë të ditur se ekipi televiziv ndodhej brenda veturës në momentin e sulmit, ndërsa sipas reagimit të tyre, Hyseni, Shala dhe Xhema kanë pësuar lëndime serioze.

“AGK-ja e dënon në termat më të ashpër këtë sulm brutal fizik dhe kërkon nga Policia identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve”, thuhet në reagim.

Asociacioni ka kërkuar hetime të shpejta dhe efikase, duke theksuar nevojën për respektimin dhe mbrojtjen e punës së gazetarëve.