Policia e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se protesta mbrëmë ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.

“Policia e Kosovës, lidhur me protestën e cila ka filluar sot në orët e paradites në sheshet e kryeqytetit, pranë Kuvendit të RKS-së, siç e ka potencuar në njoftimet zyrtare me kohë ka ndërmarr masat e nevojshme policore për garantimin e rendit e sigurisë publike, sigurisë së objekteve private e publike, si dhe mbarëvajtjes së protestës deri në përfundimin e saj“, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë protesta ka zgjatur gjatë tërë ditës dhe ka përfunduar pas mesnatës, pas përfundimit të seancës së Kuvendit, ku u votua plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e Presidentes së RKS-së.

Tutje në njoftimin e policisë thuhet se protesta ka përfunduar kryesisht e qetë pa incidente serioze, përjashtuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve nga disa protestues. Policia e Kosovës, falënderon qytetarët për bashkëpunim e protestim të qetë dhe respektim të udhëzimeve policore, të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen e protestës dhe qetësisë publike.

Në fund thuhet se Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues do të vazhdojë me detyrat e saja të rregullta policore.