Policia e Kosovës ka bërë të ditur se zyrtarët policorë të Nënstacionit Policor në Pozheran nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, kanë identifikuar një person i cili shihet në një video-incizimi të publikuar në rrjetet sociale duke drejtuar automjetin e tij në një zonë ku me shenjë të trafikut shpejtësia e lëvizjes është e kufizuar në 40 km/h, ndërsa automjeti po lëvizte me shpejtësi prej 135 km/h.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ndaj të njëjtit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore duke i shqiptuar gjobë në vlerë prej 400 euro, katër pikë negative si dhe masën mbrojtëse të ndalimit të përkohshëm të drejtimit të mjeteve motorike në afat prej nëntë muajsh.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e trafikut, pasi tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe mos respektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.