Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarve për fajde dhe vepra të tjera penale, Fehmi Demaku dhe Elmi Demaku, u dëgjuan dëshmitarët Xhevdet Uka, Bashkim Lokaj dhe Ahmet Grajqevci.
Në këtë rast, Fehmi Demaku akuzohet për veprat penale “Fajde”, “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa Elmi Demaku për “Fajde” dhe “Armëmbajtje pa leje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në dëshminë e tij, dëshmitari Xhevdet Uka deklaroi se e njeh të dëmtuarin M.G., i cili fillimisht kishte qenë klient në servisin e tij dhe, për shkak të respektit të ndërsjellë, kishin kaluar kohë së bashku edhe jashtë punës.
Ai tha se i dëmtuari M.G. asnjëherë nuk i kishte treguar për tema personale, por i kishte thënë se i duheshin disa para, për të cilat dëshmitari tha se nuk e di pse i kishte kërkuar dhe se shuma nuk i kujtohet.
Dëshmitari shtoi se në kohën kur i kishte kërkuar paratë, M.G. ishte i shqetësuar dhe i pakoncentruar.
Ai deklaroi se bashkë me dëshmitarin Bashkim Lokaj kishin shkuar në fshatin Kleçkë për të takuar të dëmtuarin M.G., i cili, sipas tij, ishte në gjendje totalisht të rënduar.
Sipas tij, gjatë rrugës, Lokaj i kishte treguar se M.G. kishte borxhe ndaj disa personave, por shumën nuk ia kishte treguar.
Dëshmitari Uka shtoi se, pasi i dëmtuari thoshte se ishte nën presion, ai bashkë me Lokajn e kishin udhëzuar të shkonte në Polici.
Pas kësaj, ai tha se kishin shkuar në një restorant, ku i dëmtuari M.G. kishte tentuar të hante, pasi nuk kishte ngrënë për 3-4 ditë, por nuk kishte mundur të hante as dy lugë supë.
“As s’ka pas temperaturë, as grip, po ka qenë i shqetësum në atë masë sa që edhe mu më ka trishtu”, tha dëshmitari për të dëmtuarin.
Dëshmitari Uka tha se kishin ardhur dy policë, të cilët e kishin trajtuar këtë temë dhe e kishin marrë M.G. me vete. Ai shtoi se policët i kishin udhëzuar ta njoftonin familjen e M.G. për situatën dhe këtë, ai bashkë me Lokajn, e kishin bërë.
Më pas, vazhdoi dhënien e dëshmisë dëshmitari Bashkim Lokaj, i cili deklaroi se të dëmtuarin M.G. e njeh që nga viti 2022, për shkak të shitblerjes së një toke prej 48 ari, për të cilën ky i fundit kishte vepruar si ndërmjetësues për shitblerje.
Sipas tij, i dëmtuari M.G. kishte insistuar që medoemos të sigurohej një blerës për këtë tokë, insistim të cilin Lokaj nuk e konsideronte normal nga praktika e tij në patundshmëri.
Lokaj deklaroi se, në kohën kur ishin në restorant, M.G. i kishte treguar për borxhet, duke thënë se më nuk i duhej as jeta, sepse ishte në borxh deri në 1 milion euro nën obligime të fajdes.
“Unë kom përjetu gjithëfarë situate në jetë, por person të gjallë nuk kom pa më keq”, tha dëshmitari Lokaj.
Ai shtoi se kishte njoftuar Policinë, e cila, pasi ishte njoftuar me ngjarjen, e kishte marrë të dëmtuarin M.G.
Tutje, vazhdoi dhënien e dëshmisë dëshmitari Ahmet Grajqevci, i cili tha se i njeh dy të akuzuarit, ndërsa të akuzuarin Elmi Demaku e ka baxhanak.
Grajqevci deklaroi se djali i tij, i dëmtuari M.G., që nga pandemia, gjatë viteve 2022-2023, kishte pasur shqetësime të thella.
Ai tha se M.G. kishte pasuri të shumta, ku përfshiheshin toka dhe shtëpi në Fushë Kosovë, banesa e toka të tjera, duke shtuar se M.G. i kishte shitur pothuajse të gjitha lokalet dhe banesat.
Dëshmitari deklaroi se i dëmtuari M.G. i kishte treguar 2-3 herë se kishte shitur banesa, por nuk e kishte pyetur se çfarë do të bënte me ato para.
“Nuk e kom kuptu si ka hy dhe pse ka hy në këtë fajde”, deklaroi dëshmitari, duke shtuar se beson që i kishte marrë paratë për kohë të shkurtër, por më pas kishte filluar shantazhi.
Tutje, pas refuzimit të propozimeve të mbrojtjes për dëshmitarë, seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale.
Si pjesë e provave materiale ishte një CD me incizimin e një bisede, të cilën mbrojtja deklaroi se nuk e posedon.
Gjykata urdhëroi Prokurorinë që ta përcjellë këtë provë te mbrojtja, andaj seanca do të vazhdojë një ditë tjetër.
Në një ndër seancat paraprake, i akuzuari Elmi Demaku kishte pranuar fajësinë për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 7 shkurt 2024, në pikën I. i akuzuari Fehmi Demaku akuzohet se në vazhdimësi, me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka kontraktuar nië shumë dukshëm jo proporocionale të pasurisë, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit M.G., dhe papërvojën e tij, kështu që në Fushë-Kosovë, më 25 shtator 2018 nga i pandehuri Fehmi Demaku ka marrë para në shumë prej 5 mijë euro, me kamatë mujore 1 mijë e 100 euro, më 25 tetor 2018, i ka marrë 10 mijë euro, për këtë pjesë ka pasur kamatë 1 mijë e 500 euro çdo muaj, më 8 shkurt 2020 ka marrë edhe 5 mijë euro me kamatë mujore 1 mijë e 200 euro, më 5 maj 2021 ka marrë edhe 8 mijë e 500 euro, me kamatë mujore 2 mijë euro.
Gjithsej, aktakuza thotë se i dëmtuari nga i pandehuri Fehmi i ka marrë 28 mijë e 500 euro, ndërsa i pandehuri Fehmi i ka thënë se i ke marrë 33 mijë e 300 euro, dhe për këtë shumë ka paguar kamatë mujore 5 mijë e 750 euro deri më 24 prill 2023, këtë pagesë e ka bërë gjithmonë me rregull, dhe se këto para nga i pandehuri Fehmi i ka marrë për ta paguar një borxh pasi që nuk ka pasur zgjidhje tjetër.
Me këtë, Fehmi Demaku akuzohet se ka kryer vepër penale “Fajde” nga neni 331, par.3 të Kodit Penal.
Në pikën II. të kësaj aktakuze thuhet se më 13 qershor 2023, në Fushë-Kosovë, në shtëpinë e të pandehurit Fehmi Demaku, pjestarët e Policisë kanë gjetur dhe konfiskuar një revole e tipit “Grisan” MC13 me leje të skaduar, 53 fishekë dhe dy karikatorë, të cilët i ka mbajtë në pronësi, posedim dhe në shfrytëzim të paautorizuar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal .
Në pikën III të aktakuzës thuhet se më 28 prill 2023 në Fushë-Kosovë, në oborrin e shtëpisë së të pandehurit Fehmi Demaku, për shkak se i demtuari M.G., nuk ka mundur t’ia paguajë shumën e parave prej 16 mijë euro në emër të kamatës, i pandehuri me qëllim të kercënimit dhe frikësimit, e ka kanosë të dëmtuarin duke i thënë “deri në ora 21:00 nëse nuk mi bjen paret e shohim kush jam unë“, ka dalë nga vetura duke bërtitë, i ka mëshu veturës dhe e ka kërcënuar në forma të ndryshme, me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.
Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.1 të Kodit Penal.
Aktakuza në pikën IV., të dispozitivit e ngarkon të akuzuarin Elmi Demaku se në vazhdimësi, me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka kontraktuar një shumë e dukshëm joproporocionale të pasurisë, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit M.G., dhe papërvojën e tij, kështu që në Fushë-Kosovë , më 25 nëntor 2018, i ka marrë nga i pandehuri Elmi 10 mijë euro me kamatë mujore 1 mijë e 500 euro, me qëllim që t’ia paguajë kamatën të pandehurit Fehmi Demaku.
Aktakuza thotë se në vitin 2019 i ka marrë edhe 10 mijë euro me kamatë mujore 1 mijë euro.
“…ka ndodhë që i ka marr edhe nga 2000€, 3000€, kështu qe shuma ka marr ne 39.5000 € për këto nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka paguar kamat mujore nga 3950€”, thuhet në aktakuzë.
Më tej, thuhet se në vitin 2020 e ka blerë një banesë në Fushë-Kosovë në vlerë prej 38 mijë euro, për të cilën me të pandehurin Elmi kanë arritur marrëveshje dhe të njëjtën në emër të borxhit dhe kamatës ia ka dhënë në vlerë prej 28 mijë euro, nga ky moment të pandehurit Elmi i ka mbet borxh 19 mijë e 500 euro , ku kamatë për çdo muaj i ka paguar nga 1 mijë e 950 euro, prapë ka fillua të marrë para herë pas here nga i pandehuri Elmi, ku ka arrit shumën 20 mijë euro, e për të cilat ka paguar kamatë mujore 3 mijë e 950 euro. Sipas aktakuzës, pagesën e ka bërë në atë mënyrë që i pandehuri e ka pasur një kuti postare në derë të oborrit, gjithherë paratë ia ka lënë aty, varësisht si ka pasur 800, 500 euro, shuma mujore është dashtë të jetë 3 mijë e 950 euro.
Me këtë, i akuzuari Elmi Demaku akuzohet se ka kryer vepër penale “Fajde” nga neni 331. par.3 të Kodit Penal.
Në pikën V., thuhet se më 13 qershor 2023, në Fushë-Kosovë, në shtëpinë e të pandehurit Elmi Demaku, pjesëtarët e policisë kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me mbi shkrimin “TT” me një karikator, një pistoletë me mbishkrimin “Zoraki” me një karikator, 100 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një pushkë ajrore, të cilat i ka mbajtë në pronësi, posedim dhe në shfrytëzim të paautorizuar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.