Një 54-vjeçar është ndaluar për 48 orë në Mitrovicën e Veriut, pasi dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë nën betim gjatë dëshmisë së tij në një rast që po hetohet nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës.

Sinjali mëson se i dyshuari është Dragan Vučinić, rreth 54 vjeçar.

Sipas burimeve, më 4 gusht, ai është intervistuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Mitrovicën e Veriut, me autorizim të Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në cilësinë e dëshmitarit për një rast që po zhvillohet nga kjo njësi.

Gjatë marrjes në pyetje, hetuesit kanë krijuar dyshimin se Vučinić ka deklaruar rrejshëm nën betim, për çka është njoftuar Prokurori i Shtetit.

Me udhëzim të Prokurorit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Deklarimi i rremë nën betim”, sipas nenit 383 të Kodit Penal.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Dragan Vučinić është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.