Një rast i dëmtimit të pronës është raportuar mbrëmjen e 20 shtatorit në parkingun e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 20:50, kur është raportuar se ishte dëmtuar njëra nga laurat në dalje të parkingut.

Përgjegjësi i parkingut, Armend Fetahaj, ka njoftuar se bëhej fjalë për laurën në dalje me numër 6, e cila ishte dëmtuar nga një person.

Pas shikimit të kamerave të sigurisë, është vërejtur një person duke zbritur nga një kombi, duke iu afruar laurës dhe më pas duke e tërhequr anash me duar, me ç’rast dyshohet se e ka dëmtuar.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, përmes pamjeve të kamerave është identifikuar i dyshuari Arbi Mjeku, 22-vjeçar, punëtor i një “Rent a Car”.

I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Vlera e dëmit ende nuk është përcaktuar.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar dhe është iniciuar procedurë për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”, ndërsa ndaj Mjekut është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.