Dështimi për ta paguar një gjobë prej 200 eurosh i ka kushtuar me 10 ditë burgim një 70-vjeçari, i cili është ndaluar nga Policia në Prishtinë dhe më pas është dërguar për vuajtjen e dënimit, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Halil Mustaf Gashi, 70 vjeçar.
Gashi është ndaluar të premten, më 15 gusht, rreth orës 16:00, nga njësitet policore në Prishtinë.
Gjatë verifikimit të të dhënave të tij, ka rezultuar se ndaj 70-vjeçarit ishte në fuqi një urdhër-arrest aktiv i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, urdhëresa lidhej me një dënim me gjobë në vlerë prej 200 eurosh, të shqiptuar lidhur me veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”.
Meqë gjoba nuk ishte paguar, ajo ishte zëvendësuar me dënim prej 10 ditësh burgim, çka kishte rezultuar edhe me lëshimin e urdhëresës për ekzekutimin e dënimit.
Pas ndalimit nga Policia dhe përfundimit të procedurave përkatëse, Gashi është dërguar në Burgun e Smrekonicës, ku do ta vuajë dënimin prej 10 ditësh.
Rasti është proceduar si realizim i urdhëresës së gjykatës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.