Një kërcënim serioz ndaj një zyrtari policor është raportuar të premten në Graçanicë, ku një 33-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar se do ta qëllojë policin duke “ia zbrazur tërë karikatorin”, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Alen Al Ebini nga Shushica, ndërsa polici që dyshohet se është kërcënuar është S.S rreth 34-vjeçar nga Llapllasella.
Rasti është raportuar më 14 gusht, rreth orës 18:00.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, kërcënimi ndaj S.S. nuk i është bërë drejtpërdrejt atij, por dyshohet se është përcjellë përmes një zyrtari tjetër policor, i cili në atë kohë ishte në detyrë duke siguruar Manastirin e Graçanicës.
I dyshuari pretendohet se i ka thënë policit se “do t’ia zbrazë tërë karikatorin” zyrtarit policor S.S.
Gjatë incidentit, 33-vjeçari dyshohet se ka fyer edhe policin që po siguronte objektin fetar dhe nuk i është bindur urdhrave të tij.
Për shkak të natyrës së kërcënimit, në rast janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë, ndërsa është njoftuar Prokurori kujdestar.
Me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti për “Kanosje”, sipas nenit 181, paragrafi 3, ndërsa i dyshuari është ndaluar deri në 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Skenderaj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.