Një rast i posedimit të paautorizuar të narkotikëve është zbuluar më 5 tetor në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë të Vushtrrisë, pasi një të burgosuri i është gjetur substancë e dyshuar narkotike gjatë kthimit nga puna jashtë institucionit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 16:30, Arian Veseli, i cili po vuan dënimin në këtë qendër, është kontrolluar nga zyrtarët korrektues pasi ishte kthyer nga puna jashtë institucionit.

Gjatë kontrollit, në çorapen e tij është gjetur një qese e vogël me rreth 1.5 gram substancë të dyshuar marihuanë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia e hetimeve, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.

Me vendim të Prokurorit, rasti është iniciuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar mënyrën se si substanca narkotike kishte përfunduar te i burgosuri.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.