Një ndalim rutinor në trafik ka eskaluar në incident me Policinë në orët e para të mëngjesit të së dielës në Prishtinë, ku dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuarit janë Muhamet Shabani, 39-vjeçar dhe Orges Dervisholli, 20-vjeçar, të cilët pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Gjithçka nisi rreth orës 03:30 të 30 gushtit, në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë.

Njësia e Reagimit të Shpejtë e Kryeqytetit kishte ndaluar një veturë pasi drejtuesi i saj dyshohet se kishte kaluar në semafor me dritë të kuqe.

Policia kishte ngritur dyshime se shoferi, Muhamet Shabani, ishte nën ndikimin e alkoolit dhe në vendngjarje është angazhuar edhe një njësi e Stacionit Policor Qendra për t’ia bërë alkooltestin.

Por pikërisht në këtë moment situata dyshohet se ka eskaluar.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, Shabani dyshohet se ka filluar të shfaqë sjellje agresive dhe e ka kapur për dore njërin prej zyrtarëve policorë.

Ai është arrestuar, por incidenti nuk ka përfunduar me kaq.

Në ato momente nga vetura ka dalë edhe pasagjeri, Orges Dervisholli, i cili, sipas burimeve, nuk u është bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe më pas dyshohet se e ka shtyrë një zyrtare policore.

Edhe 20-vjeçari është arrestuar.

Pas arrestimit, të dyshuarve u është bërë matja e alkoolit.

Sipas rezultateve të evidentuara, Shabani ka rezultuar me 1.23 mg/L, ndërsa Dervisholli me 0.61 mg/L alkool.

Sinjali mëson se për shkak të incidentit janë angazhuar edhe Hetimet Rajonale, të cilat kanë intervistuar dy zyrtarët policorë të përfshirë në rast, si dhe të dyshuarit.

Shabani dhe Dervisholli janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës.

Për rastin është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Me urdhër të Prokurorit, Muhamet Shabani dhe Orges Dervisholli janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.