Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj”.
Sipas Policisë, rasti dyshohet se ka ndodhur më 11 shtator 2026, në rrugën “Qamil Ilazi” në Ferizaj, pasi një qytetari i kishte rënë kuleta, të cilën dyshohet se e ka marrë personi i kërkuar me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm.
Me autorizim të prokurorit të Shtetit, Policia ka publikuar fotografinë dhe videon e personit të dyshuar, me qëllim të identifikimit dhe lokalizimit të tij.
Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, ta njoftojnë përmes numrit emergjent 192, stacionit më të afërt policor ose aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
Sipas Policisë, të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.