Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shefin e Zyrës së BE-së, Dirk Schubel.

Në takimin e parë zyrtar mes tyre, Hoxha e ka uruar Schubelin për marrjen e detyrës, ndërsa e ka informuar për angazhimet dhe prioritetet e Policisë së Kosovës, si dhe sfidat me të cilat përballet institucioni në garantimin e rendit dhe sigurisë në vend.

Një pjesë e diskutimeve iu kushtua mbështetjes së Bashkimit Evropian për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Policisë së Kosovës.

Ambasadori Schubel ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, duke theksuar se ai kontribuon në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Në takim është diskutuar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim të forcimit të sigurisë dhe ofrimit të shërbimeve profesionale për qytetarët.