Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar 20 copë municion të padeklaruar gjatë kontrollit të një mauneje në Zyrën e Brendshme Doganore në Ferizaj.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë procedurave të zhdoganimit është kryer kontroll fizik i ngarkesës dhe dokumentacionit të maunes. Gjatë verifikimit është identifikuar një faturë që lidhej me një armë të ftohtë, çka ka ngritur dyshime për praninë e artikujve të tjerë të ndërlidhur me armë.

Për këtë arsye, kontrolli është zgjeruar edhe në kabinën e maunes dhe në sendet personale të shoferit.

Gjatë kontrollit të një çante personale, zyrtarët kanë gjetur dy kuti me municion, gjithsej 20 copë.

Rasti është proceduar më tej nga autoritetet përkatëse, në përputhje me kompetencat ligjore.

Dogana ka bërë të ditur se kontrollet e tilla synojnë parandalimin dhe zbulimin e kontrabandës dhe mallrave të ndaluara.