Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor të ministrisë kompetente, ka realizuar të dielën një inspektim në një lokacion në Prishtinë, lidhur me dyshimet për ushtrim të veprimtarisë në fushën e ortoprotetikës pa licencën përkatëse.

Gjatë inspektimit është konstatuar dhe dyshohet se janë ofruar shërbime shëndetësore në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Për këtë arsye, Inspektorati kompetent ka ndaluar ofrimin e këtyre shërbimeve.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit janë intervistuar dy persona të dyshuar, shtetas të huaj, në prani të avokatëve mbrojtës.

Pas përfundimit të procedurave, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente për procedura të mëtejme ligjore.