Një person është arrestuar sot në Prishtinë, nën dyshimin se ka keqpërdorur një investim në vlerë prej rreth 500 mijë eurosh.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë zhvilluar veprime hetimore pas pranimit të informacioneve për veprimet e dyshimta të të arrestuarit.
Sipas dyshimeve të ngritura, personi ka keqpërdorur investimet e një shtetasi të huaj, duke i shkaktuar atij dëm financiar prej rreth gjysmë milioni euro.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” dhe “Mashtrim”.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.