Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet ndaj një zyrtari policor, me detyrë në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nën dyshimin për veprime të kundërligjshme lidhur me një shumë prej 105 eurosh.
Rasti është pranuar nga IPK-ja më 14 shtator 2026, pasi ishte referuar nga Policia e Kosovës.
Sipas informatave fillestare, më 9 shtator një punonjës i aeroportit kishte raportuar humbjen e 105 eurove. Gjatë shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë konstatuar se paratë ishin gjetur nga një udhëtare, shtetase e Kosovës me banim në Gjermani, e cila më pas ia kishte dorëzuar ato një zyrtari policor.
“Pas pranimit të rastit, IPK ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sigurimin dhe administrimin e informatave dhe provave fillestare”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Sipas dokumentacionit të pranuar nga IPK-ja, zyrtari policor ka pranuar se i kishte marrë paratë, por nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar ato në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale të parapara për raste të tilla.
“Bazuar në shkresat e pranuara për këtë rast, zyrtari policor ka pranuar se kishte marrë paratë, por ato nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar në pajtim me procedurat ligjore dhe institucionale të parapara për raste të tilla”, thuhet në komunikatë.
Sipas IPK-së, zyrtari policor më vonë i kishte vendosur 105 eurot në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në Aeroport.
Duke vlerësuar se ekziston dyshim i arsyeshëm dhe me qëllim të sigurimit të kushteve për zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor.
Hetimet po zhvillohen në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.
“Hetuesit e IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.