Një rast tejet i rëndë i dyshuar për ngacmim seksual ndaj një fëmije është zbuluar në Prishtinë, ndërsa pas veprimeve hetimore Policia ka identifikuar dhe arrestuar një 67-vjeçar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 14 shtator, ndërsa viktima është një vajzë vetëm 9-vjeçare.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura ka deklaruar në praninë e prindit dhe para përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale se, pasi kishte dalë nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, një burrë i moshuar kishte nisur ta ndiqte.
Sipas rrëfimit të saj, ai e kishte pyetur fillimisht për emrin, ndërsa më pas dyshohet se e kishte kapur dhe puthur pa dëshirën e saj.
Rasti është marrë menjëherë në trajtim nga organet kompetente, ndërsa në konsultim me Prokurorinë është vendosur që të procedohet nën dyshimet për veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Hetuesit kanë siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, në të cilat, sipas informacioneve të Sinjalit, shihet i dyshuari duke e përcjellë vajzën.
Pas një dite hetimesh dhe veprimesh operative, më 15 shtator është identifikuar dhe ndaluar A. M, rreth 67-vjeçar.
Me urdhër të Prokurores kujdestare, i dyshuari është dërguar fillimisht për kontroll në Klinikën e Psikiatrisë.
Pas ekzaminimit, ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ku është ndaluar për 48 orë.
Rasti vazhdon të hetohet, ndërsa për shkak se viktima është fëmijë, Sinjali nuk do të publikojë asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e saj.