Një video e publikuar në rrjete sociale, ku shihej një person duke shtënë me armë, ka çuar Policinë deri te identifikimi i një 35-vjeçari në Podujevë, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Agron Rrahimi.
Rasti është zbuluar më 14 gusht, pasi Policia ka pranuar informatën për një video të publikuar në rrjete sociale, ku një person shihej duke shtënë me armë zjarri.
Pas veprimeve operative, njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë personin që shfaqej në video dhe më pas kanë lokalizuar shtëpinë e tij në rrugën “Ahmet Shabani” në Podujevë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Rrahimi ka dorëzuar vullnetarisht një pistoletë me gaz dhe një karikator, ndërsa para Policisë ka pranuar se ishte pikërisht ai që kishte shtënë me armë.
Ai ka deklaruar se të shtënat kishin ndodhur rreth tri javë më parë, në shtëpinë e tij, në shenjë gëzimi, ndërsa videon kishte vendosur ta publikonte më 13 gusht.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar dhe me pëlqimin e pronarit, Policia ka kryer edhe kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë tjetër e dyshimtë.
35-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Ndaj tij është iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me vendim të Prokurorit, Rrahimi është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.