Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e sotëm në Hajvali të Prishtinës, ku një 91-vjeçare është gjetur pa shenja jete prapa shtëpisë së saj.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 06:00, ndërsa fillimisht informacioni ishte pranuar si një rast i dyshuar për “tentim vrasje”.

Njësitet përkatëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur edhe ekipin mjekësor, i cili kishte konstatuar vdekjen e gruas.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për Halime Lecin, 91-vjeçare, e cila, sipas deklarimit të djalit të saj, ishte gjetur e varur prapa shtëpisë.

Siç mëson Sinjali, djali i saj, F. L., është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe ka deklaruar se nëna e tij kishte përdorur qetësues dhe vuante nga sëmundje të moshës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit, krimteknika dhe përfaqësuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë bërë tërheqjen e trupit.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar të Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.