Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gllarevë të Klinës, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tre fëmijëve të tij, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është A. H., rreth 50-vjeçar, ndërsa viktima janë vajza e tij G. H., rreth 18-vjeçare dhe dy fëmijët e tjerë të mitur, A.H., rreth 16-vjeçar dhe O.H., rreth 13-vjeçar.
Rasti është raportuar më 8 gusht, rreth orës 23:05, kur Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informatën për një problem brenda familjes H.
Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka takuar të dyshuarin dhe e ka arrestuar.
Sipas informacioneve të rastit, tre fëmijët ishin larguar nga shtëpia pasi babai i tyre dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.
Viktimat janë dërguar fillimisht në QKMF në Klinë, ndërsa më pas janë transferuar në Spitalin Rajonal të Pejës për ekzaminime të mëtejshme mjekësore.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit ndaj zë dyshuarit janë iniciuar rastet për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim të lehtë trupor”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.