Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e së dielës në Rahovec, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Sinjali mëson se i dyshuari është R. E. rreth 50-vjeç, ndërsa viktima Sh. E. rreth 50-vjeç.
Rasti ka ndodhur më 9 gusht, rreth orës 22:00, në rrugën “Xhelal Hajda” në Rahovec, ndërsa viktima e ka njoftuar Policinë për incidentin pak më vonë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 50-vjeçarja ka deklaruar para hetuesve se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke e goditur me grusht në fytyrë.
Si pasojë e goditjes, gruaja ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe fillimisht është dërguar në QKMF në Rahovec për trajtim mjekësor. Më pas ajo është intervistuar nga hetuesi i rasteve të dhunës në familje.
Policia ka shoqëruar në stacion edhe të dyshuarin, i cili është intervistuar lidhur me rastin.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa ndaj R. E. është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti mbetet në procedurë të mëtejshme hetimore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.