Policia ka sekuestruar tri armë dhe dëshmi të tjera materiale pas dyshimeve se gjatë një ahengu familjar në fshatin Lladrovc të Malishevës janë përdorur armë zjarri.
Sipas Policisë, ahengu ishte zhvilluar të dielën, ndërsa pas pranimit të informacioneve për të shtëna, Stacioni Policor në Malishevë, në koordinim me prokurorin kompetent, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore.
Gjatë kontrollit të kryer sot në vendbanimin e personave të dyshuar, në oborrin ku ishte organizuar ahengu janë gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja.
Ndërkohë, në automjetet e parkuara pranë vendit të ahengut, të cilat ishin në pronësi të personave të dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë automatike të tipit AK-47 me një karikator, një armë të gjatë gjysmëautomatike, si dhe një pistoletë me gaz me një karikator dhe katër fishekë.
Për rastin janë intervistuar katër persona meshkuj, të gjithë të rritur, të cilët dyshohen se kanë përdorur armët e sekuestruara.
Me konsultim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm”.
Rasti, sipas Policisë, do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.