Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar kontrollet në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, me qëllim parandalimin e kundërvajtjeve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Gjatë kontrollit të shpejtësisë më 30 gusht, në fshatin Vraniq, në segmentin rrugor Gjakovë–Klinë, janë identifikuar katër shoferë që e tejkaluan ndjeshëm kufizimin prej 60 kilometrash në orë.
Sipas Policisë, dy prej tyre u kapën duke vozitur me 188 dhe 162 kilometra në orë. Secili u gjobit me nga 500 euro, mori pesë pikë negative dhe iu ndalua drejtimi i mjeteve motorike për gjashtë muaj.
Dy shoferët e tjerë u kapën me shpejtësi prej 135 dhe 123 kilometrash në orë. Ndaj tyre u shqiptuan gjoba prej 300 eurosh, tri pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjeteve për tre muaj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje shoferëve t’i respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit, duke paralajmëruar se tejkalimi i shpejtësisë rrezikon të gjithë pjesëmarrësit në trafik.