E mitura R.H., 15-vjeçare, e cila ishte raportuar e zhdukur në Pejë, është gjetur sot pas angazhimit të hetuesve policorë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të Sinjalit, rasti lidhet me zhdukjen e raportuar gjatë natës së 30 gushtit, në zonën e rrugës “Motrat Qiriazi” në Pejë.

Hetimet për lokalizimin e saj i janë kaluar sot, më 31 gusht, Sektorit Rajonal të Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

Pas veprimeve hetimore të ndërmarra në terren, rreth orës 13:00, Policia ka arritur ta lokalizojë të miturën në qytetin e Pejës.

Sipas të dhënave të rastit, 15-vjeçarja është gjetur duke shëtitur dhe ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas gjetjes, ajo është intervistuar në praninë e nënës së saj dhe të mjekut.

Për zhvillimet është njoftuar edhe Prokurori kompetent dhe, pas konsultimit me të, e mitura është lejuar të largohet së bashku me nënën e saj dhe të kthehet në shtëpi.

Pavarësisht se 15-vjeçarja është gjetur shëndoshë e mirë, hetimet lidhur me rrethanat e rastit po vazhdojnë.