Ka përfunduar kërkimi për një 15-vjeçare nga Rahoveci, e cila ishte raportuar e zhdukur pasi ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për A.D., rreth 15-vjeçare, e cila ishte larguar nga shtëpia më 7 gusht, rreth orës 16:30.
Zhdukja e saj ishte raportuar në Stacionin Policor në Rahovec nga babai i saj, pasi familja nuk kishte më informacione për vendndodhjen e saj.
Për rastin ishte njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për të Mitur, me udhëzim të të cilit ishte iniciuar rasti “Person i zhdukur”.
Pas kërkimeve, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ardhur lajmi i mirë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 03:50, e mitura është gjetur nga Policia në rrugën “Gëzim Hamza”, në afërsi të palestrës në Rahovec.
Patrulla policore e ka marrë të miturën dhe e ka dërguar në shtëpi, ku ua ka dorëzuar familjarëve.
Në informacionin policor nuk raportohet për ndonjë incident tjetër lidhur me rastin.