Në postin e ri, ai do të jetë këshilltari kryesor ushtarak i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, gjenerali Carsten Breuer, është zgjedhur si kryetar i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, organi më i lartë ushtarak i Aleancës.

Breuer u zgjodh nga shefat e mbrojtjes të 32 vendeve anëtare të NATO-s gjatë një takimi në Kopenhagë.

Ai do të marrë detyrën në korrik 2027 dhe do ta mbajë për një mandat 3-vjeçar, duke pasuar admiralin italian Giuseppe Cavo Dragone.

Në këtë pozicion, Breuer do të jetë këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai do të përcjellë gjithashtu rekomandimet e drejtuesve ushtarakë të vendeve anëtare te udhëheqja politike e Aleancës, shkruan TV Klan.

Emërimi i tij vjen në një periudhë kur NATO po forcon masat e mbrojtjes dhe parandalimit ndaj kërcënimeve të mundshme nga Rusia.

Congratulations to General Carsten Breuer, Chief of Defence of the Bundeswehr on his election as the next Chair of the NATO Military Committee, taking office in July 2027! Carsten – on behalf of the entire Military Committee, and personally – our warmest congratulations! Your operational judgement, your deep familiarity with this Alliance and your leadership of the German Armed Forces will serve NATO well. The Chiefs of Defence have placed their trust in you at a demanding moment for Euro-Atlantic security. You will have the full support of the Committee and of the International Military Staff through the transition, and I look forward to working closely with you until the handover. #WeAreNATO #NATO #MilitaryCommittee #Bundeswehr @GermanyNATO @BundeswehrGI @SHAPE_NATO

— Admiral Giuseppe CAVO DRAGONE – NATO CMC (@CMC_NATO) September 19, 2026

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e vlerësoi zgjedhjen e Breuer, duke theksuar përvojën dhe rolin e tij në ristrukturimin e ushtrisë gjermane.

Breuer iu bashkua ushtrisë gjermane në vitin 1984 dhe gjatë karrierës së tij ka kryer trajnime të avancuara në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara. Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e NATO-s në Kosovë dhe Afganistan.

Që nga marsi i vitit 2023, Breuer mban postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bundeswehr-it. Më herët ka drejtuar Komandën Territoriale të Bundeswehr-it dhe ka qenë në krye të shtabit të krizës për pandeminë COVID-19 pranë Kancelarisë Federale gjermane.

Me marrjen e detyrës në vitin 2027, Breuer do të jetë një nga figurat kryesore ushtarake të NATO-s dhe këshilltari kryesor ushtarak i udhëheqjes politike të Aleancës.