Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit S.M., i dyshuar për veprën penale të grabitjes.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 2 gusht 2026, rreth orës 01:30, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, pranë hyrjes së banesës së të dëmtuarit A.M.

“Me përdorimin e një thike dhe duke e kanosur, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, i ka marrë të dëmtuarit 50 euro”, thuhet në vendimin e Gjykatës, duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë.

Sipas përshkrimit të rastit, i dëmtuari ka tentuar të largohet, por i pandehuri dyshohet se e ka kapur për qafe dhe e ka ndjekur. Në këtë moment, sipas Prokurorisë, ka ndërhyrë dëshmitarja E.R.

“Ti ke me e pagu shtrenjtë këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon” - Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për grabitje në Gjakovë

Para se të largohej nga vendi i ngjarjes, i dyshuari dyshohet se e ka kanosur sërish të dëmtuarin.

“Ti ke me e pagu shtrejt këtë; ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon”, citohet të ketë thënë i pandehuri.

Pas raportimit të rastit në Polici, i dyshuari është arrestuar nga zyrtarët policorë.

Gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas vendimit, paraburgimi do të zgjasë nga 3 gushti deri më 2 shtator 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.