Një vjedhje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Zveçan, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në një market dhe janë larguar me mijëra euro para të gatshme, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se cak i hajdutëve ishte marketi “Moć Priroda”, në rrugën “Mbreti Petar”.

Rasti dyshohet se ka ndodhur në intervalin mes orës 22:00 të 29 gushtit dhe 07:30 të mëngjesit të 30 gushtit, kur vjedhja është zbuluar dhe më pas është raportuar në Polici.

Sipas informacioneve të para, personat e dyshuar kanë thyer lokalin dhe kanë depërtuar brenda, duke arritur deri te zyra e depos së marketit.

Nga aty dyshohet se kanë marrë rreth 3 mijë e 170 euro para të gatshme, para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Pas raportimit, në market kanë dalë hetuesit policorë, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe veprimet e nevojshme hetimore.

Në këtë fazë, nuk ka të dhëna për identitetin apo numrin e personave të përfshirë në vjedhje.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve po vazhdojnë.