Një rast i dhunës në familje është raportuar në Lipjan, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se A.M.B. është paraqitur në Polici më 12 tetor, rreth orës 21:45, duke deklaruar se një natë më parë ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, S.B.

Sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari, në gjendje të dehur, dyshohet se e ka goditur disa herë me duar në trup.

Ajo ka deklaruar po ashtu se sjellje të tilla janë bërë më të shpeshta, duke pretenduar se bashkëshorti konsumon vazhdimisht alkool dhe kthehet në shtëpi në orët e vona në gjendje të dehur.

Në rast është përfshirë edhe Qendra për Punë Sociale.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Viktima është larguar nga shtëpia dhe ka shkuar te familja e saj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.