Nga vdekja e punëtorit në Ferizaj dhe dhuna në familje në Drenas e Lipjan, te të shtënat me armë në një aheng familjar në Ferizaj dhe incidentet me policinë në Prishtinë e Gjilan, ngjarjet e fundit kanë vënë në lëvizje Policinë në disa rajone të Kosovës.

Sinjali ju sjell përmbledhjen e rasteve kryesore të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.

Punëtori bie nga 7 metra te objekti i “Endriti EEA” dhe humb jetën – pronari i kompanisë punëkryese ndalohet për 48 orë

Një punëtor, Musli Musliu, ka humbur jetën më 12 tetor në Ferizaj, pasi dyshohet se ra nga rreth shtatë metra lartësi gjatë punimeve në objektin e “Endriti EEA”.

Pronari i kompanisë punëkryese “Hansi SHPK”, Besar Topalli, është ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet për dy vepra penale që lidhen me sigurinë në vendin e punës.

Gruaja denoncon bashkëshortin për dhunë psikike dhe kanosje në Drenas – ai ndalohet për 48 orë

Një grua në Drenas ka denoncuar bashkëshortin për dhunë psikike dhe kanosje, duke deklaruar se ai e kishte fyer dhe kërcënuar.

Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet.

Zhduket motoçikleta me katër rrota në Prishtinë – pronari thotë se vlente 6,500 euro

Një qytetar ka raportuar vjedhjen e motoçikletës së tij me katër rrota në Prishtinë, me vlerë rreth 6,500 euro.

Ai ka deklaruar se e kishte parkuar në Rrugën A më 9 tetor, ndërsa tri ditë më vonë ka vërejtur se mjeti mungonte. Rasti po hetohet.

Ekskluzive | Policia ndal BMW-në te Rrethi i Viktorisë – shoferit i gjenden mbi 4.6 gramë drogë dhe cigare me marihuanë

Policia ka ndaluar një BMW te Rrethi i Viktorisë në Prishtinë, ku gjatë kontrollit të shoferit janë gjetur 4.61 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe një cigare e dyshuar me marihuanë.

Pas intervistimit, shoferi është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet.

5. Shkoi në Polici për problem me qiradhënësin – përfundon duke sulmuar dy zyrtarë policorë

Një person që ishte paraqitur në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë për një problem me qiradhënësin, dyshohet se ka sulmuar dy zyrtarë policorë.

Ai është dërguar për trajtim në Forenzikën Psikiatrike në QKUK dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Të shtëna me armë në aheng familjar në Ferizaj – sekuestrohet pistoleta “Zoraki” dhe gëzhojat

Të shtëna me armë janë raportuar më 12 tetor gjatë një ahengu familjar në fshatin Surqinë të Ferizajt.

Policia ka identifikuar të dyshuarin dhe ka sekuestruar një pistoletë “Zoraki”, karikatorin dhe dy gëzhoja. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Incident në sheshin e Gjilanit – 26-vjeçari dyshohet se kërcënoi policët dhe i lëndoi gjatë arrestimit

Dy zyrtarë policorë janë lënduar mbrëmjen e 12 tetorit në Gjilan, gjatë arrestimit të një 26-vjeçari, i cili dyshohet se i kishte kërcënuar dhe më pas i kishte sulmuar.

Njëri nga policët ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ky është 26-vjeçari që dyshohet se kërcënoi policët dhe i lëndoi gjatë arrestimit në sheshin e Gjilanit

Lirim Pireva dyshohet se ka kërcënuar dy zyrtarë policorë në sheshin e Gjilanit dhe ka lënduar njërin gjatë shoqërimit për në stacion.

Njëri nga policët ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa Pireva është ndaluar për 48 orë.

Kapet me kokainë në Pejë – 25-vjeçari lirohet në procedurë të rregullt

Një 25-vjeçar është ndaluar në Pejë më 12 tetor, pasi Policia i ka gjetur një qese me 0.7 gramë substancë të dyshuar si kokainë.

Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, ai është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet.

Gruaja denoncon bashkëshortin për dhunë fizike në Lipjan – thotë se sjellja po përsëritet

Një grua në Lipjan ka denoncuar bashkëshortin për dhunë fizike, duke pretenduar se ai e kishte goditur disa herë në trup, ndërsa ishte në gjendje të dehur.

Ajo ka deklaruar se sjellje të tilla janë përsëritur. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa gruaja është larguar te familja e saj.

Këto ishin disa nga ngjarjet që shënuan 24 orët e fundit në Kosovë.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.