Një vjedhje e rëndë është raportuar në kompleksin “Hill Residence” në rrugën “Shkupi” në Prishtinë, ku nga një pronë janë marrë para të gatshme, ari dhe një armë zjarri me leje.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 20 shtator, rreth orës 22:40.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ankuesi H. Q., 38-vjeçar, ka deklaruar se nga prona e tij mungojnë 600 euro para të gatshme, ari në vlerë rreth 2 mijë euro, si dhe një pistoletë Sig Sauer me leje.

Bashkë me armën dyshohet se janë marrë edhe dy karikatorë dhe 15 fishekë të kalibrit 9 mm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë mbledhur provat që lidhen me rastin.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, është iniciuar rast për “Vjedhje të rëndë”.

Të dyshuarit deri më tani janë të panjohur, ndërsa hetimet po vazhdojnë.