Një rast i pazakontë ka vënë në lëvizje Policinë në Zubin Potok, pasi një qytetar ka raportuar se persona ende të panjohur kishin hyrë me forcë në pronën e tij dhe kishin demoluar shtëpinë, por, sipas tij, nuk kishin vjedhur asgjë, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është denoncuar nga M. V, 62-vjeçar, nga fshati Parucë.
Siç mëson Sinjali, i dëmtuari e ka njoftuar Policinë më 3 shtator, rreth orës 08:40, duke deklaruar se persona të panjohur kishin depërtuar me forcë jo vetëm në shtëpinë e tij, por edhe në depon që ndodhet pranë saj.
Ajo që ua ka shtuar pikëpyetjet hetuesve është ajo që është konstatuar më pas.
Shtëpia ishte demoluar, por pronari nuk ka raportuar asgjë të vjedhur.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, ndërhyrja dyshohet të ketë ndodhur në periudhën ndërmjet 28 gushtit dhe 3 shtatorit, ndërsa deri më tani nuk dihet se kush qëndron prapa saj.
Pas raportimit, njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa pronari është intervistuar lidhur me rrethanat e rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është hapur si “Vjedhje e rëndë në tentativë” dhe u është kaluar hetuesve për trajtim të mëtejmë.
Tash hetimet pritet të zbardhin jo vetëm identitetin e personave që hynë me forcë në pronë, por edhe çfarë kërkonin brenda shtëpisë, nëse prej saj nuk morën asgjë.