Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e së dielës në Ferizaj, ku një 68-vjeçar ka pësuar djegie serioze në rrethana që po hetohen si tentim vetëvrasjeje. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të familjarëve, ai është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar është transferuar në QKUK.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur më 18 tetor, rreth orës 20:10, në rrugën “Mehmet Begraca” në Ferizaj.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, viktima është R. S. rreth 68-vjeç, ndërsa familjarët e tij kanë qenë të parët që kanë vërejtur se diçka e rëndë po ndodhte në oborrin e shtëpisë.

Ata kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndihmuar dhe kanë kërkuar ndihmën e emergjencës mjekësore.

Ekipet e urgjencës dhe Policia kanë mbërritur në vendin e ngjarjes brenda pak minutash, ndërsa 68-vjeçari është transportuar fillimisht për trajtim në Ferizaj.

Megjithëse informacionet e para e përshkruanin gjendjen e tij si stabile, vlerësimi i mëvonshëm mjekësor ka konstatuar djegie serioze dhe gjendje të rënduar shëndetësore, për çka është vendosur transferimi i tij në QKUK në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë dhe njësia e Forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë grumbulluar prova për të sqaruar rrethanat e incidentit.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është evidentuar si “Tentim vetëvrasjeje” dhe i është referuar njësisë së hetimeve rajonale.

Hetimet po vazhdojnë, ndërsa vëmendja kryesore mbetet te gjendja shëndetësore dhe trajtimi i mëtejshëm i 68-vjeçarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.