Një vjedhje e rëndë është raportuar të shtunën mbrëma në Prishtinë, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë depërtuar në një banesë dhe kanë vjedhur armë zjarri dhe municion, raporton Sinjali.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Heroinat e Mirditës”, ndërsa Policia është angazhuar rreth orës 23:00 pas pranimit të informatës për vjedhje në një banesë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se pronari i banesës, B. D, 40-vjeçar, ka njoftuar zyrtarët policorë se banesa e tij ishte thyer.

Pasi ka kontrolluar pronën, ai ka konstatuar se i mungonte një pistoletë e tipit HS XDM, së bashku me dy karikatorë dhe 21 fishekë të kalibrit 9 mm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e krim-teknikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë mbledhur provat që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit apo autorëve.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me të cilin Policia është konsultuar dhe rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Personi apo personat e dyshuar nuk janë identifikuar ende, ndërsa rasti mbetet nën hetime.