Një grabitje e rëndë është raportuar më 10 tetor në rrugën “Anton Qeta” në Gjakovë, ku një person i maskuar ka hyrë në filialin e “RIA”-s dhe nën kërcënimin e thikës ka marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 15:10, personi i dyshuar ka hyrë në objekt dhe ka kanosur punëtoren, duke i kërkuar që t’ia dorëzonte të gjitha paratë.
Sipas deklarimit të viktimës, nga frika dhe paniku ajo nuk ka arritur të reagojë, ndërsa i dyshuari më pas ka marrë vetë paratë nga dollapi ku mbaheshin.
Sipas informatave fillestare, shuma e grabitur dyshohet të jetë deri në 8 mijë euro para të gatshme.
Pas grabitjes, personi i maskuar është larguar në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, të cilat kanë nisur veprimet për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa rasti është iniciuar si “Grabitje”.
Hetimet po vazhdojnë.