Vjedhjet e shpeshta në hapësira publike dhe automjete vazhdojnë të jenë shqetësuese për qytetarët e Kosovës, duke shkaktuar humbje materiale dhe ndjenjë pasigurie.

Cak i një vjedhjeje ka qenë edhe një qytetar në Duhël të Suharekës, të cilit sot, rreth orës 18:10, i është vjedhur një çantë nga vetura, derisa ai ishte duke paguar derivatin në një pompë të derivateve.

Sipas dëshmisë së tij të dërguar në adresë të Gazetës Sinjali, rasti ka ndodhur në pompën “Flamuri Petrol” në Duhël.

Rasti është raportuar në Polici, ndërsa zyrtarët policorë kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin e dyshuar.

Pamjet e që ka siguruar Sinjali, tregojnë momentin kur i dyshuari shfrytëzon rastin, teksa vetura ishte e ndalur, dhe merr çantën bashkë me dokumente e para.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë informacione lidhur me rastin.