Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hapja e xhamisë në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë është zhvilluar pa incidente, pavarësisht kundërshtimeve të një grupi personash lidhur me emërimin e imamit nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, ceremonia ka nisur në orën 13:00, ndërsa kundërshtimet janë shprehur përmes thirrjeve dhe zhurmës verbale. Situata është menaxhuar pa pasur nevojë për ndërhyrjen e policisë, dhe pas largimit të personave në fjalë, ritet fetare kanë vazhduar normalisht.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Kosovës kishte angazhuar njësi policore në kuadër të planit operativ për garantimin e rendit, qetësisë publike dhe sigurisë së pjesëmarrësve.