Një 31-vjeçar nga fshati Romajë i Prizrenit, i cili ishte në kërkim nga autoritetet për vuajtjen e dënimit për dhunë në familje, është arrestuar në pikën kufitare në Bërnjak.

Policia njofton se E.S. është ndaluar më 17 shtator nga zyrtarët e Policisë Kufitare, ndërsa gjatë verifikimit është konstatuar se ndaj tij ekzistonte vendim i plotfuqishëm i Gjykatës Themelore në Prizren.

Sipas njoftimit, ai ishte dënuar me nëntë muaj e 20 ditë burgim efektiv për veprën penale “Dhunë në familje”, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas arrestimit, E.S. është dërguar fillimisht në Stacionin Policor në Prizren dhe më pas në institucionin korrektues për të vuajtur dënimin.

Policia ka bërë të ditur se vazhdon veprimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, si dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.