Një rast i dhunës në familje me elemente të kanosjes në Fushë Kosovë ka marrë zhvillim të ri, pasi personi i dyshuar është paraqitur në Polici dhe është intervistuar lidhur me mesazhet kërcënuese që dyshohet se ia kishte dërguar ish-partneres së tij, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është R.M., 41-vjeçar, ndërsa rasti ishte denoncuar më 28 gusht nga ish-partnerja e tij, L.I., 37-vjeçare.
Sipas informacioneve të rastit, dy palët kishin bashkëjetuar, por marrëdhënia e tyre kishte përfunduar rreth tre muaj më parë.
37-vjeçarja është paraqitur në Polici rreth orës 19:30 dhe ka deklaruar se ishte kanosur nga ish-partneri i saj. Pas denoncimit, ajo është intervistuar nga hetuesi për dhunë në familje.
I dyshuari ishte kontaktuar fillimisht përmes telefonit dhe kishte deklaruar se do të paraqitej në stacion nëse kishte mundësi.
Një ditë më vonë, më 29 gusht, rreth orës 17:20, 41-vjeçari është paraqitur në Polici, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Ai ka deklaruar se kishte bashkëjetuar me viktimën dhe se kohëve të fundit marrëdhëniet mes tyre ishin prishur.
Por pjesa kryesore e deklaratës së tij lidhet me mesazhet për të cilat ishte denoncuar.
Sipas informacioneve të Sinjalit, i dyshuari ka pranuar se ia kishte dërguar mesazhet kërcënuese ish-partneres, duke pretenduar se këtë e kishte bërë “në gjendje afekti, me nervozë e sipër”.
Pas intervistimit është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka marrë vendim që 41-vjeçari të ndalohet për 48 orë.
Rasti po trajtohet si “Dhunë në familje” me elemente të kanosjes dhe procedurat hetimore po vazhdojnë.